Ish-nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, ka akuzuar institucionet për mungesë transparence, ndërsa ka thënë se opozita ka qenë krejtësisht e shkëputur dhe nuk ka ditur asgjë për marrëveshjen e përfaqësimit rajonal.
Në një intervistë për gazetën “Lajm”, Kryeziu ka deklaruar se gjërat nuk duhet të mbahen fshehtë, sepse dikur “s’kanë çare pa dalë në shesh, si bombë”.
“Nëse për kryeministrin Thaçi marrëveshja është jo e lezetshme, neve na duket pelin krejt”, ka thënë ai.
Deputeti Kryeziu ka thënë se po të ishte në vend të Dellit, nuk do të kishte guxuar ta quante antiamerikan një subjekt politik të përbërë nga shqiptarët e Kosovës.
Ndërsa, njerëzit që po përdorin këtë deklaratë të ambasadorit Dell kundër LDK-së, dhe të tjerët që “po kërkojnë ushqim nga të vdekurit e famshëm”, kryeziu i ka quajtur të pa vizion që mbështetën tek fuqitë e mëdha.
“Nuk janë gjë tjetër veçse satelitë të bukur”, thotë Kryeziu, sipas të cilit deklarata e Dellit nuk i përket politikës aktuale amerikane.