Çfarëdo ndryshimi në skenën politike të Kosovës apo të Serbisë mund të qesë poshtë gjithë produktin e deritashëm të dialogut të realizuar në Bruksel. Kjo sepse konkluzionet e dakorduara nga palët nuk definohen si marrëveshje ndërkombëtare.
Asnjë obligim kushtetues për të zbatuar konkluzionet nuk ka një pushtet i ri që mund të vijë në Kosovë, i ka thënë Kohës Ditore një njohës i së drejtës kushtetuese.
“Shumë qartë dihet se çfarë janë marrëveshjet ndërkombëtare. Konkluzionet nuk janë të tilla dhe për pasojë kurrfarë obligimi, as kushtetues dhe tjetër, nuk ka për t’i implementuar. As në Kosovë dhe as në Serbi”, ka thënë ky njohës i kushtetueses, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, që ka folur në kushte anonimiteti. “Por, shtrohet një pyetje këtu: cili pushtet, para së gjithash në Kosovë, do të shpërfillte konkluzionet pas të cilave qëndrojnë BE-ja dhe SHBA-ja? Unë them se asnjëri”.
Prej se ka nisur dialogu Kosovë-Serbi rreth një vit më parë, janë arritur disa marrëveshje të emërtuara si “konkluzione”. Ato nuk i kanë firmat e përfaqësuesve të të dyja vendeve, por pas dakordimit nga palët për përmbajtjen, ndërmjetësi i dialogut Robert Cooper, një zyrtar i autorizuar i BE-së në rolin e lehtësuesit të dialogut, i bën publike ato. Ngaqë janë të tilla, nuk janë qitur për aprovim në Kuvend.