Gratë po angazhohen në biznes

Femrat janë duke u angazhuar ngadalë, por sigurt në biznes, pasi ato përballen më vështirësi të mëdha, duke filluar nga paragjykimet për aftësitë e tyre udhëheqëse, pastaj qasja në burime të financimit, etj. Kështu u tha në një tryezë me gra afariste, të organizuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar.

Gratë kosovare janë duke u angazhuar në vazhdimësi për të ndryshuar pozitën e tyre në shoqëri. Pavarësisht vështirësive të mëdha, ato janë duke u marrë edhe me veprimtari afariste, por në një shkallë mjaft të ultë krahasuar me burrat.
Udhëheqësja e Shoqatës së Kontabilistëve të Certifikuar, Ardiana Bunjaku, thotë se mentaliteti i përgjithshëm i shoqërisë ka pasur ndikim mjaft negativ tek femrat afariste.
Por, me kalimin e viteve, sidomos gjatë dekadës së fundit, ka pasur një hov më të madh të qasjes së tyre në edukim, si pikë kyçe, e rrjedhimisht edhe në pjesëmarrjen e tyre në biznes.
Udhëheqësja e Organizatës joqeveritare “Lady”, Sanija Murati, thotë se gratë duhet të angazhohen edhe më shumë për të arritur përmirësimin e përgjithshëm të gjendjes. Por, sipas saj, ekziston një dallim i madh ndërmjet femrave në viset urbane dhe rurale, raporton Radio Kosova.
Drejtoresha e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar, Maurin Shauket, në tryezën e sotme përmendi shumë shembuj të grave afariste të suksesshme nëpër botë, duke nxitur edhe femrat kosovare të angazhohen në këtë sferë.
Edhe zyrtarët e Odës Ekonomike të Kosovës dhe asaj amerikane në Kosovë thanë se ka femra të suksesshme në biznes, por kërkuan angazhim më të madh të tyre.
Ndryshe, sipas një ankete të vitit 2005 me 600 ndërmarrje të vogla e të mesme, të kryer nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, vetëm 2 për qind e tyre janë në pronësi të femrave, ndërkaq rezultatet e vitit 2008 të kësaj ankete treguan një rritje të vogël në 3.83 për qind.