Daka pranon “gabimin për shtëpinë e Mustafës”

Ish-kreu i LDK-së për degën e SHBA-ve, Musa Daka përmes një kumtese për media ka reaguar lidhur me deklaratat për fondin e tre përqindëshit, duke thënë se në përpjekjet e tij që të kontribuoj në zbardhjen e këtyre fakteve mund të ketë pasaktësi eventuale, por shprehet i bindur se kanë ekzistuar apo ekzistojnë pasuri për të cilat duhet të ketë hetim institucional se kush është titullar i tyre.

Ai ka thënë se pas deklarimeve të tij më në fund është konfirmuar se mjetet e Fondit të tre përqindëshit, pavarësisht se si quhen sot, ekzistojnë ende dhe ky fond është aktiv edhe më tej.
“ Kjo është konfirmuar nga deklarimet e njërit nga të apostrofuarit për menaxhimin e këtyre Fondeve, zotit Naser Osmani, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së. Unë do të vazhdoj të insistoj që të zbardhen të gjitha të dhënat lidhur me këtë Fond, shfrytëzimin dhe menaxhimin e tij, përfshirë edhe objektet në çfarëdo cilësie qofshin ato, të cilat kanë qenë apo janë në pronësi të ish-qeverisë në ekzil të drejtuar nga zoti Bujar Bukoshi”, thotë Daka në deklaratë.
Sipas tij, ka pasuri të tilla për të cilat duhet të dihet se ku janë, kush i menaxhon, sikur që duhet të sqarohet se çfarë ka ndodhur me mjetet e objekteve dhe institucioneve të shitura siç është p.sh Dardania Bank.
“Në përpjekjet e mia që të kontribuoj në zbardhjen e këtyre fakteve mund të ketë pasaktësi eventuale, por jam i bindur se kanë ekzistuar apo ekzistojnë pasuri për të cilat duhet të ketë hetim institucional se kush është titullar i tyre. Dhe për këtë jam i bindur se përgjegjësit kryesor të menaxhimit të Fondit të tre përqindëshit e dinë më së miri dhe kanë përgjegjësi dhe obligim që të sqarohen para qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, shprehet Daka.