Veseli: Dikush do luftë gjelash në Kosovë

Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, nuk pajtohet se faktori politik i Kosovës në të kaluarën ka qenë i përçarë. Ai insiston se ka pasur unitet në qëllim, ndërsa fajin për, siç e quan hendekun e krijuar mes asaj që sot njihet si krah i luftës dhe lëvizjes për rezistencë paqësore, e hedh jashtë oborrit të ish-UÇK-së.

Në intervistën dhënë KTV-së dhe “Kohës Ditore”, Veseli ka folur për proceset e së kaluarës në Kosovë, për luftën për çlirim nga Serbia, për mospajtimet e vazhdueshme mes faktorit politik të Kosovës, për Shërbimin e zbulimit të cilin e udhëhoqi dhe për planet e tij për përfshirje në politikë.
Ish-shefi i SHIK-ut ka folur edhe për raportet e strukturave ilegale të viteve ’90-të dhe atyre të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me lëvizjen paqësore politike të udhëhequr nga Ibrahim Rugova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
“E kam parë një fotografi, të botuar në mediat tona edhe shumë mirë si është botuar, kur komandanti jonë legjendar, Adem Jashari, në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës në Rinas e pret presidentin e Kosovës, zotin Ibrahim Rugova”, thotë ai, duke përmendur si dëshmitar Mehmet Krajën, përfaqësuesin e Kosovës në Tiranë në atë kohë.
“Ka qenë vendim i përbashkët që komandanti legjendar të shkojë dhe të takohet me presidentin. Është frikësuar (Rugova), nuk e ka takuar. Nuk e ka takuar, besomëni premtimi ka qenë të takohen. Kjo ka qenë ideja, të shkohet dhe të takohet atje”.
Ai përmend edhe Mujë Rugovën, rektorin e tanishëm të UP-së, dhe Enver Hasanin, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, si dëshmitarë të tentimeve për të koordinuar veprimet mes UÇK-së dhe kryeministrit në ekzil të asaj kohe, Bujar Bukoshin.
“Ka qenë një hapësirë kur kemi mundur të komunikojmë”, thotë ai, sipas të cilit qeveria e Bukoshit ka qenë qeveri legjitime e asaj kohe, ndërsa koncepti i UÇK-së ka qenë koncepti legjitim i popullit të Kosovës.
“Koncepti ynë ka qenë dhe është të bëjmë diçka të mirë për këtë vend, jo të merremi me njëri-tjetrin”, shton ai. “Është mangësi morale së pari, dhe intelektuale, që tentojnë me çdo kusht të na mbajnë vetëm luftën e gjelave. Kjo nuk i shërben këtij vendi dhe nuk do të jetë e mirë. Ajo çfarë kemi bërë të gjithë në të kaluarën le të mbetet gjykim i gjeneratave që vijnë”.
Ndërkaq, në reagimin e gazetarit se pa faktorin e jashtëm, posaçërisht NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të ishte i mundur çlirimi i Kosovës, Veseli thotë: “Nuk është e vërtetë se erdhën të tjerët, ata na çliruan, se ne nuk do të ishim çliruar kurrë. Jo, jo. E vendosëm të çliroheshim si gjeneratë, u futëm në atë koncept, sakrifikuam për atë koncept, dhe bota e civilizuar e pa se ne jemi në rrugë të drejtë dhe atëherë nuk na la vetë”.