Qeveria e ka angazhuar FSK-në në Restelicë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka përcjellë nga afër gjendjen pas rënies së borës mbrëmë në komunat e rajonit të Dukagjinit, duke pasur kontakte të drejtpërdrejta me kryetarët e komunave të Pejës, Gjakovës dhe Deçanit- thuhet në një komunikatë për media.

“Po ashtu, Qeveria ka angazhuar Forcën e Sigurisë së Kosovës për t’u dalë në ndihmë banorëve të fshatit Restelicë të komunës së Sharrit, ku helikopterët e KFOR-it nuk kanë mundur të aterojnë për shkak të kohës, ndërsa njësitet e FSK-së tanimë kanë arritur dhe do të angazhohen maksimalisht për ndihmë”, thuhet në komunikatë.
Më tej, theksohet se edhe kryeministri Hashim Thaçi është duke e përcjellë nga afër gjendjen duke qenë në kontakt me ministrin e Infrastrukturës, Fehmi Mujota, si dhe kryetarin e komunës së Sharrit dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të këtij rajoni, Rasim Demiri e Duda Balje, të cilët janë në vend të ngjarjes.
Qeveria e Kosovës u ka shprehu ngushëllime familjeve të viktimave në fshatin Restelicë.