Udhëheqësit e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), duke shpërfillur Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, u kanë dërguar shkresa zyrtare ambasadorëve të Kosovës që aktualisht shërbejnë në vende të ndryshme.
Këtë gjë e ka konfirmuar zëvendësministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi, i cili në disa paraqitje publike ka thënë se iu ka dërguar qarkore disa ambasadorëve për t’i njoftuar se së shpejti do të ndërrohen nga ambasadorët e ardhshëm, përkatësisht se do t’ju ndërpritet mandati i tyre, i cili zgjatë katër vjet, raporton “Zëri”.
Mirëpo, në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, kjo kompetencë i takon ekskluzivisht presidentes së vendit, e cila megjithatë tërheqjen e një ambasadori – derisa ai nuk e ka përfunduar mandatin – nuk mund ta bëjë “sipas qejfit”, por për këtë duhet të ketë arsye të forta.