E hëna ditë zie shtetërore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka shpallur ditën e hënë (13 shkurt 2012) ditë zie shtetërore, në nderim të anëtarëve të familjeve Reka, që pësuan në fatkeqësinë natyrore në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.

Sipas vendimit të presidentes, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të Republikës së Kosovës, flamuri i Kosovës ulet në gjysmë shtize.
Gjithashtu, të gjitha veprimtaritë artistike, kulturore dhe sportive, të planifikuara për këtë ditë, pezullohen dhe shtyhen për një datë të mëvonshme.
Edhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që dita e hënë të shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës.
“Qeveria edhe njëherë u shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve të viktimave, dhe rithekson gjithë përkushtimin dhe vendosmërinë institucionale për ndihmë dhe shpëtim të qytetarëve, të rrezikuar nga gjendja e rëndë klimatike. Qeveria falënderon pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, zjarrfikësit dhe të gjithë qytetarët për sakrificën që janë duke bërë për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të Restelicës”, thuhet në një komunikatë të Zyrës së kryeministrit.