Bora “bllokon” Pejën

Reshjet e borës, që kanë nisur katër ditë më parë, po vazhdojnë edhe të dielën me intensitet të shtuar në komunën e Pejës. Trashësia e borës ka arritur në një metër. Kryetari i komunës, Ali Berisha, ka mobilizuar shtabin e krizës dhe po punohet në terren për t’u dal në ndihmë qytetarëve.
Berisha tha se autoritetet komunale në bashkëpunim me qytetarët, si dhe me kompanitë e pastrimit, Policinë, me FSK-në dhe me organizata të ndryshme po përpiqen që së bashku të tejkalojnë këtë gjendje të krijuar.
“Bora që po vazhdon të bije e ka vështirësuar qarkullimin, mirëpo të gjitha lokalitetet, fshatrat dhe rrugët e bashkësive territoriale kanë qarkullim të lirë. Po bëhen përpjekje që të gjitha ato familje që të mbështeten. Është krijuar një koordinim me bashkësitë territoriale që t’u vijnë në ndihmë familjeve që kanë nevojë dhe nuk kanë kapacitete njerëzore për zbulimin e kulmeve të tyre tek ato shtëpi që janë të ndërtuara nga materiali më i dobët që rrezikohet çatia”, u shpreh Berisha, transmeton Kosovapress.
Edhe pse thuajse të gjitha kompanitë që veprojnë në komunën e Pejës janë të angazhuara për pastrim, lëvizja është e vështirësuar si për automjete ashtu edhe për këmbësor. Bëhet e ditur se një familjeje në qytetin e Pejës i është rrëzuar çatia nga pasha e madhe e borës.
Berisha i ka ftuar qytetarët që të jenë të angazhuar dhe të ndihmojnë në pastrimin e borës, së paku secili në lagjet e veta.
Ndryshe, rrugët kryesore janë të kalueshme, përveç rrugës Pejë-Rugovë, për shkak të ortekëve që bien kohë pas kohe dhe po bllokojnë komunikacionin.