Pages - Menu

Musa Ramadani fitoi Çmimin “Azem Shkreli”

Juria Profesionale për vlerësimin dhe ndarjen e Çmimit Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe për Çmimet Vjetore për Letërsi, ka vendosur që për vitin 2011 Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” t’i ndahet prozatorit, poetit dhe dramaturgut Musa Ramadani.
Ndërkohë, në kategoritë tjera, çmimet kanë shkuar për këta autorë: Çmimi Letrar për veprën më të mirë në prozë i është ndarë Eqrem Bashës me veprën “Lakorja e ik’sit”; Çmimi Letrar për veprën më të mirë në poezi i është ndarë Sali Bashotës me veprën “Dorëshkrimi i ngjallur”.
Adil Ollurit i është ndarë Çmimi Letrar për veprën më të mirë në kritikë me veprën e tij “Romani postmodern shqiptar; ndërkaq, Çmimi letrar për veprën më të mirë të përkthyer i është ndarë Smajl Smakës, për përkthimin e veprës ‘Tabuti i Sarajevës” të shkrimtarit Abdullah Sidran.
Juria që ishte në përbërje nga Rifat Ismaili, Engjell I. Berisha, Qibrie Demiri, Jonuz Fetahaj, Bajram Rugovali, ka vlerësuar se poeti dhe prozatori Musa Ramadani me krijimtarinë e vet ka ndikuar në avancimin e kulturës së shkrimit dhe zhvillimin e formave të reja shprehëse që u qëndrojnë pranë veprave të mëdha të letërsisë evropiane.
Po ashtu, juria vlerëson se Ramadani me veprën e tij shumëdimensionale e përmbushi misionin e krijuesit të përkushtuar, që nëpërmjet artit ta kultivojë dhe afirmojë botën e etnisë në përmasa qytetëruese, njerëzore.
Ndarja e Çmimit Kombëtar Letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimet Vjetore për Letërsi, janë të parapara me një rregullore që mban po këtë emër, e që është nxjerrë në vitin 2009.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pritet që shumë shpejt të organizojë edhe ceremoninë e ndarjes së këtyre çmimeve.